Lilaj: Për fitore ndaj Turqisë; Veseli: Po bashkohemi si grup

12/11/2017 12:42

Sabien Lilaj dhe Frederik Veseli dolën përpara mediave në prag të ndeshjes miqësore që kombëtarja jonë do të luajë ndaj Turqisë, ditën e hënë.

Mesfushori i Skënderbeut tha se skuadra do të hyjë për fitore në këtë takim.

“Jam i kënaqur që grumbullohem sërish pas një kohe të gjatë në kombëtare. Është kënaqësi të riveshësh fanellën kuqezi. Shpresoj që nesër të kem minuta. Në çdo ndeshje hyjmë për fitore, edhe pse e dimë që përballë kemi kundërshtar të fortë. Do të japim më të mirën tonë”, tha Lilaj.

Duke folur për rolin e tij, Lilaj deklaroi: “Pozicioni ku ndihem më mirë është përpara mbrojtjes, edhe trajneri (Panucci) aty më ka provuar gjatë këtyre ditëve”.

Ndërsa mbrojtësi Frederik Veseli theksoi se gjatë kësaj jave, skuadra ka njohur më mirë trajnerin Panucci dhe është bashkuar më shumë si grup.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, për të cilën kemi një javë që përgatitemi. Kemi pasur pak kohë në grumbullimet e tjera, ndërsa këtë javë kemi punuar mirë dhe jemi bashkuar si grup”, theksoi Veseli.

Top Channel