Shkodër, sekuestrohet 1.5 ton kanabis. Në pranga edhe një polic

11/11/2017 11:48

Agjentë të policisë së Shkodrës kanë ekzekutuar këtë të shtunë operacionin e koduar “Viluni Beach”, në kuadër të të cilit janë sekuestruar 1 ton e gjysmë kanabis dhe janë arrestuar 5 persona, mes të cilëve një oficer policie.

Sikurse njofton Drejtoria lokale e Policisë, blici është kryer rreth orës 02:45 minuta, në vendin e quajtur Plazh Velipojë, në oborrin e një hoteli në pronësi të shtetasit P.V, me banim në Itali.

Sipas burimeve, sasia e drogës është gjetur e paketuar në një furgon, ndërkohë që një pjesë tjetër është gjetur në ambjentet e brendshme të hotelit, e paketuar në 6 çanta shpine.

Pronar i furgonit me targë “AA 386 CE” ka rezultuar 20-vjeçari me inicialet J.B, lindur dhe banues në Orikum të Vlorës.

Bashkë me mjetin në fjalë janë sekuestruar edhe dy të tjera, konkretisht një “Benz” me targë “AA 388 ME” dhe një “Ford Fiesta”, në pronësi të shtetasve Sokol Ujka dhe F.M, i pari banues në Velipojë dhe tjetri në Përmet.

Në vijim të operacionit, uniformat blu janë vënë në ndjekje të një automjeti tjetër, një “Golf” me targë “AA 355 SL”, që drejtohej nga shtetasi Enriko Zyle, punonjës policie në Tiranë, i cili në përpjekje për t’u larguar nga hoteli ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.

Pasi është vënë në pranga, nga hetimet paraprake ka rezultuar se ky oficer ka qenë i përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ndërkohë, një person tjetër që udhëtonte bashkë me të ka arritur të dalë nga makina e aksidentuar dhe të largohet. Sipas njoftimit të policisë, personat e arrestuar janë shtetasit:

1. Sokol Ujka, 42 vjeç, banues në Velipojë Shkodër.

2. Enriko Zyle, 42 vjeç, lindur në Shkodër banues në Tiranë, Punonjës Policie në DRKM Tiranë.

3. Arbër Bozhanaj, 30 vjeç, banues në Orikum Vlorë

4. Genti Dano, 35 vjeç, banues në Selenicë Vlorë.

5. Dervish Gjolekaj, 32 vjeç, banues në Dukat Vlorë.

Ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit:

1. F.M, 32 vjeç, banues në Përmet.

2. J.B, 20 vjeç, banues në Orikum Vlorë.

3. GJ.N, 44 vjeç, banues në Lezhë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti kriminal. Ndaj të arrestuarve rëndon akuza e “trafikimit të narkotikëve i kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.

Top Channel