Ahmetaj në Dibër: Buxheti 2018, investimet më të mëdha publike

11/11/2017 17:12

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, gjatë qëndrimit në Dibër në kuadër të mbledhjes së qeverisë, ka zhvilluar një takim me komunitetin ku ka prezantuar paketën fiskale dhe buxhetin 2018, si dhe përfitimet që do të ketë qarku i Dibrës prej tij.

“Ky është buxheti më i madh i investimeve publike ku përfshihen patjetër pjesë të rëndësishme të qarkut të Dibrës, siç është unaza e qytetit të Peshkopisë, është rruga Arras-Kastriot, përtej rrugës së Arbrit”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërkohë, ka vijuar ai, qeveria ka parashikuar dhe investime në rikonstruksione shkollash dhe qëndrash shëndetësore.

“Janë 410 qendra shëndetësore që do të investohen brenda vitit 2018 dhe brenda mandatit 300 qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë”, ka thënë Ahmetaj.

Një pikë tjetër ku ministri e ka vënë theksin ka qenë taksa e pronës, ngarkesa e të cilës do të ulet, sipas tij, për 95% të bizneseve në vend.

Gjatë takimit, ku kanë qenë të pranishëm edhe sipërmarrës, Ahmetaj ka nënvizuar se ulja e pragut të TVSH-së përbën një instrument për formalizimin e ekonomisë.

Top Channel