“Play off”-et e Botërorit, sot radha e Suedi-Itali

10/11/2017 11:49

Sot në mbrëmje u takon Suedisë dhe Italisë që të zbresin në fushën e lojës, pë të zhvilluar sfidën mes tyre të fazës së “play-off”-eve për Botërorin e vitit 2018, që do të zhvillohet në Rusi.

“Të kaltrit” nuk duhet të gabojnë, në mënyrë që ta kenë më te lehtë çështjen e kualifikimit në ndeshjen e kthimit, që do të luhet në “San Siro”.

Objektivi i 4 herë kampionëve të Botës është padyshim shënimi i golit në fushën suedeze, për të prerë biletën për fazën finale të kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik.

Ndeshja mes Suedisë dhe Italisë do të zhvillohet në Solna dhe parashikimet flasin për një mot të ftohtë me temperatura pranë zero gradëve dhe reshje shiu. Por pavarësisht kësaj, stadiumi “Friends Arena” do të qëndrojë i hapur, ndërkohë që një ditë më parë ai ishte i mbyllur në momentin kur skuadra italiane bëri inspektimin e fushës.

Për këtë ndeshje, Gian Piero Ventura ka përgatitur të gjitha detajet dhe duket se është i vendosur për të aplikuar skemën 3-5-2. Me Zazën e dëmtuar, në repartin e sulmit do t’i takojë Belottit që të marrë vendin e tij dhe të luajë përkrah Ciro Immobiles.

Italia ka një bilanc pozitiv për sa u përket ndeshjeve me Suedinë. “Të kaltrit” kanë 11 fitore, kundrejt 6 sukseseve të nordikëve, ndërkohë që 6 sfida kanë përfunduar në barazim.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për përballjet e luajtura në Suedi, ku janë vendasit ata që kanë avantazhin, me 4 fitore kundrejt një të italianëve, ndërsa 3 ndeshje kanë dalë në barazim. Herën e fundit që Suedia dhe Italia kanë luajtur kundër njëra-tjetrës ka qenë në “Euro 2016”, me Italinë që fitoi 1-0 me gol të shënuar nga Eder.

Top Channel