“Le Parisien”: Kontakte PSG-Conte; Sheiku mohon zërat

10/11/2017 10:54

Trajnerit të PSG-së, Unai Emery, mund të mos i mjaftojë mbërritja në gjysmëfinalet e Championsit, që është njëkohësisht edhe objektivi minimal për parizienët. Ndoshta vetëm triumfi në Europë mund t’i lejojë trajnerit bask të qëndrojë në pankinën prestigjioze të Parisit, një post që lakmohet edhe nga trajnerët më në zë të Europës.

Prej disa ditësh, në media kanë qarkulluar pasuesit e mundshëm të spanjollit, por vetëm këtë të premte, “Le Parisien” ka dalë me një emër konkret, atë të Antonio Contes, edhe pse klubi i drejtuar nga Emiri i Katarit mohon këto zëra.

Sipas të përditshmes nga kryeqyteti francez, Parisi mund të ketë nisur kontaktet me menaxherin e ish-trajnerit të Juventusit, jeta e të cilit në Londër po vështirësohet nga dita në ditë, edhe pse sezonin e kaluar fitoi Premier Leaguen me Chelsean.

Conte ka një kontratë me “blutë” e Londrës deri në vitin 2019, por kandidatura e tij do t’iu interesonte parizienëve për shkak të kualiteteve dhe personalitetit të fortë që ka italiani, sikurse edhe të dhënat taktike. Ndaj “Le Parisien” e identifikon atë si trajnerin e mundshëm italian të PSG-së, pas Ancelottit, duke nisur nga vera e ardhshme.

Megjithatë, pozicioni i klubit është i qartë: kërkimi për një trajner të ri nuk është në rendin e ditës. Zëra ka pasur edhe për një interesim të tyre për Mourinhon, teknikun portugez të Manchester United. Ndërkohë, profili i Pochettinos që po udhëheq Tottenhamin duket se nuk bind. Në sfond është edhe një tjetër emër italian, ai i Max Allegrit. Në çdo rast, pas ardhjes së Neymar dhe Mbappe, Paris SG është kthyer tashmë në një skuadër që lakmohet nga shumë trajnerë elitarë.

Top Channel