Telashe për Venturën e Italisë, Zaza dëmtohet e rrezikon Suedinë

09/11/2017 15:03

Në prag të sfidës me Suedinë, për fazën e “play-off”-eve të Botërorit 2018 që do të luhet këtë të premte, për trajnerin Gian Piero Ventura janë hapur telashe.

Sulmuesi Simone Zaza pësoi një dëmtim në gjurin e majtë dhe nuk mori pjesë në seancën stërvitore të paradites.

Zaza, i cili këtë sezon po shfaqet në një formë të shkëlqyer me Valencian, mendohej të aktivizohej që nga minuta e parë në ndeshjen me Suedinë nga trajneri i “të kaltërve”, por ky dëmtim i tij ia prishi të gjitha planet, pasi me shumë gjasë ai nuk do të mund të zbresë në fushën e lojës.

Gjithsesi, Zaza vazhdon të jetë në skuadër pasi ekziston ende shpresa se ai mund të bëjë një riaftësim të shpejtë.

Ndërkohë, Ventura po mendon për sulmuesin që do të zërë vendin e Zazës, e dilemat për të janë të mëdha, pasi ai duhet të bëjë një zgjedhje mes Belottit dhe Eder, një dilemë që pritet të zgjidhet vetëm në çastet e fundit.

Top Channel