E kanë quajtur “Iron Man” i vërtetë dhe falë shpikjes së tij, britaniku Richard Browning ka sot një vend në librin e rekordeve “Guinness”.

Njeriu që krijoi një kostum si ai i personazhit të famshëm Tony Stark, arriti të lëvizë me një shpejtësi prej 51.53 km në orë përpara se të keqllogariste një kthesë e të rrëzohej në liqen. Por përpjekja i mjaftoi për të siguruar nderimin e veçantë, falë kostumit metalik me motorë që e ndihmon të realizojë ëndrrën e hershme të njeriut për të fluturuar vet.

Kostumi i Browning, i njohur si “Dedalus”, frymëzuar nga dedali i mitologjisë greke që ndërtoi një palë krahë për vete e për të birin, përbëhet nga një xhaketë e krijuar me një material të lehtë e rezistent; 3 motorë të vegjël me gaz në secilin krah dhe dy të tjerë më të mëdhenj në shpinë dhe kushton 40 mijë stërlina.

Veshja reale e njeriut të hekurt ka tërhequr vëmendje të madhe, duke i rënë sidomos në sy agjencive të kërkim-shpëtimit, kërkuesve ushtarakë dhe producentëve të “Hollywood”-it.

Teorikisht, sipas Browning, ajo mund të ndihmojë shumë në reagimin e parë gjatë një situate emegjence, por kostumi, siç kujdeset shpikësi të theksojë, nuk është bërë për të gjithë. Të paktën ende jo. “Po vazhdojmë të punojmë mbi disa detaje, – sqaron ai, – me synimin që nga kjo eksperiencë e pazakontë fluturimi të përfitojë edhe publiku i gjerë”.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel