Protestë në Athinë, punëtorët kërkojnë të drejtat

09/11/2017 22:45

Mijëra grekë protestuan para parlamentit në Athinë kundër reformave ekonomike që qeverisë së majtë, të cilat përfshijnë plane për të ndryshuar ligjin e grevave, duke vështirësuar zhvillimin e tyre.

Grevat kanë qenë pjesë e jetës së Greqisë për dekada kur, para krizës së borxheve, sindikatat e punës ishin të fuqishme dhe me mjaft ndikim. Gjatë protestës, punëtorët kërkuan mbrojtjen e pagave dhe një pagë më të lartë minimale, si edhe fundin e politikës së sekuestrimit të pronave nga ata që nuk paguajnë dot kreditë e këqija.

Kjo është një çështje mjaft problematike në Greqi, pasi shumë njerëz nuk kanë mundur të paguajë kreditë për shkak të krizës financiare.

“Unë kam fëmijë dhe nipër të papunë. pensionin tim ja jap atyre. Imagjinoni se ç’mund të ndodhë tjetër.”, u shpreh Chatzis Petros, pensionist.

“Çdo ditë luftojmë dhe improvizojmë për të mbijetuar. Kjo s’mund të quhet jetë në 2017-n”, Lavretzos Kostas, punëtor.

Protesta u organizua nga lëvizja komuniste e punës, e cila është një nga kritikët më të mëdhenj të qeverisë së majtë. Greqia është në mes të rishikimit të tretë të reformave ekonomike nga kreditorët dhe që të marrë fonde ndihme, duhet të bindet. Kritikët e kryeministrit Aleksis Tsipras thonë se ai ka shkelur të gjitha premtimet zgjedhore për të kënaqur kreditorët.

Top Channel