Në Spanjë janë kundër fanellës, Ramos: Shihni rezultatet, jo ngjyrat

09/11/2017 14:36

Sergio Ramos ka ironizuar debatet e kota mbi fanellën e re të Spanjës, të prezantuar pak ditë më parë, për Botërorin e Rusisë vitin e ardhshëm. Ai shprehet se, çdo spanjoll do të mbështesë lojtarët që i mbajnë veshur ato fanella, nëse do të jenë të suksesshëm në Rusi.

Ndërprerja e kampionatit këto ditë për shkak të impenjimeve të kombëtareve, në Spanjë është dominuar nga debatet kontroverse mbi ngjyrën lejla në fanellën e re të “La Roja”-s, ndërsa konservatorët nacionalistë kanë bërë thirrje për bojkot për shkak të supozimeve se ngjason me flamurin e Republikës spanjolle të epokës para luftës civile, të viteve 1930.

Federata spanjolle e Futbollit (RFEF) dhe kompania e veshjeve “Adidas” lëshuan një deklaratë të përbashkët duke mohuar ndonjë “konotacion politik” në përzgjedhjen e dizajnit, por presidenti në detyrë i RFEF-së, Juan Luis Larrea pranoi se qeveria spanjolle nuk është e lumtur për ngjyrat e përdorura dhe prezantimi zyrtar i kësaj të mërkure nuk u bë me aq shumë bujë.

Megjithatë, kapiteni i Spanjës, duke folur për një shfaqje radiofonike tha se njerëzit do ta përkrahin atë fanellë, sapo ekipi kombëtar t’i veshë në trup dhe të ketë rezultate pozitive në fushat e blerta.

“Më pëlqen, – tha ai. – Njerëzit janë të lirë të japin mendimet e tyre dhe gjykimet sesi e konsiderojnë këtë fanellë. Por përtej ngjyrave të fanellës vlejnë rezultatet. Mbaj mend edhe një uniformë të bardhë, të cilën unë personalisht e pëlqeja, por pasi dështuam të merrnim rezultate në dy ndeshje, fanellat u hoqën nga tregu. Sigurisht, pasi ne t’i veshim ato për të përfaqësuar Spanjën, gjithçka tjetër është dytësore. Megjithatë është e vërtetë ajo që thonë, se ne duhet të kërkojmë ato ngjyra, me të cilat të mund të identifikohemi më bindshëm”, deklaroi mbrojtësi spanjoll i Realit të Madridit.

Top Channel