Të mërkurën, Hoyt Brian Yee, zëvendësndihmës/Sekretari i Shtetit bëri një deklaratë që ngriti shumë pikëpyetje. Ai foli edhe për përgjegjësinë e administratës amerikane në certifikimin e liderëve politikë të korruptuar në Ballkanin Perëndimor, duke i pritur në vizita pompoze në Uashington, por pa përmendur emra.

“Mendoj se ndonjëherë është e turpshme se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht akteve të tyre të dënueshme, priten në kryeqytetet europiane sikur nuk kanë bërë asgjë të keqe. Kur qytetarët e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Europë e Uashington nxjerrin përfundime. Nëse ata nuk lejohen në këto takime dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në ecurinë e këtyre vendeve”, deklaroi Yee.

Se kush nga politikanët shqiptarë që kanë vizituar SHBA së fundmi është i korruptuar, nuk ka ndonjë vendim, por ata për të cilët, sipas Hoyt Bryan Yee qytetarët kanë dalë në përfundime, si pasojë e vizitës së tyre në Amerikë janë të shumtë.

Top Channel ju sjell një listë të politikanëve që kanë vizituar Shtetet e Bashkuara në dy vitet e fundit.

Edi Rama në 2016-2017 në cilësinë e Kryeministrit ka qenë në Amerikë disa herë dhe ka zhvilluar krahas takimeve me zyrtarët e Departamentit të Shtetit apo në OKB, edhe ato me presidentët Obama dhe Trump.

Emri më i përmendur nga politika dhe media në Shqipëri, Saimir Tahiri ka qenë pjesë e vizitës së delegacionit qeveritar në SHBA në 2016. Edhe ky ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të shtetit, FBI dhe Presidentin Obama.

Në cilësinë e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati ka zhvilluar disa herë vizita në SHBA për asambletë e OKB, apo për takime në Shtëpinë e Bardhë. Nga zyrtarët e tjerë të lartë të Partisë Socialiste, SHBA i kanë vizituar edhe Arben Ahmetaj në 2016 dhe Mimi Kodheli në 2014.

Nga Lëvizja Socialiste për Integrim, SHBA i kanë vizituar kreu i atëhershëm dhe ajo aktuale e partisë. Ilir Meta ka vizituar SHBA edhe në 2016 edhe në 2017 më shumë së tre herë.

Vizitën e fundit e kreu në janar të këtij viti, ku takoi zyrtarë dhe kongresmenë. Edhe kryetarja aktuale e LSI-së, Kryemadhi ka zhvilluar vitin e kaluar një vizitë atje, por për arsye private.

Nga Partia Demokratike vizitë në SHBA kanë zhvilluar disa prej emrave më të rëndësishëm të partisë. Lulzim Basha vizitën e fundit amerikane e ka zhvilluar në kulmin e krizës politike, kur opozita qëndronte në çader.

Në vizitën e tij të mëparshme, në mars të 2016, grupi që e shoqëronte përbehej nga Gent Strazimi, Jorida Tabaku dhe Eduard Selami, ky i fundit një shtetas amerikan.

Listës së politikanëve që kanë vizituar Amerikën është edhe Fatmir Mediu. Edhe ky ishte pjesë deputetëve që shoqëronin Bashën në 2016. Ish-presidenti Bujar Nishani e vizitoi Amerikën për takime zyrtare në shtator të 2016 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Por, ka shumë zyrtarë që ndërkohë nuk kanë mundur ta vizitojnë “tokën e premtuar”. Në fillim të vitit më shumë se 80 gjyqtarëve e prokurorëve iu njoftua heqja e vizave, përfshirë edhe Kryeprokurorin, ndonëse për këtë të fundit u duk se vendimi u rishikua.

Por pak ditë më parë Ambasada la të kuptohet se për kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako ishte marrë e njëjta masë, por pa thënë arsyet.

Mos ndoshta është fillimi i të njëjtës furtunë mbi politikën?

PS
Edi Rama
Saimir Tahiri
Ditmir Bushati
Arben Ahmetaj
Mimi Kodheli 2014

LSI
Ilir Meta
Monika Kryemadhi

PD
Lulzim Basha
Gent Strazimiri
Jorida Tabaku
Eduard Selami, shtetas amerikan
Fatmir Mediu, PR
Bujar Nishani

Top Channel