Ibra: Suedia pa mua, pa presion ndaj Italisë. Verrati më i miri. “Biskota”?…

09/11/2017 11:03

“Kur luaja unë kishim më shumë presion, ndërsa sot, nëse Suedia fiton ose humbet nuk është më e njëjta gjë”. Zlatan Ibrahimoviç nuk ka qenë kurrë modest, por analiza e tij për futbollin suedez është pa të meta.

I marrë në pyetje nga “Sky Sport 24”, sulmuesi aktualisht i dëmtuar por që është shumë pranë rikthimit te Manchester United, ka folur për ndeshjet “play off” të Botërorit me Italinë, e reflekton mbi të gjitha mbi efektet e mungesës së tij.

“Kur isha unë – shpjegon ‘Ibracadabra’, – të gjithë prisnin që ne të fitonim Botërorin ose Europianin, por ky ishte një presion që vinte nga jashtë dhe kryesisht mbi mua. Sot që unë nuk jam më, presionet ndaj kombëtares suedeze nuk janë më të njëjta”.

Sa i përket përballjeve, “do të jenë dy ndeshje të bukura, jo të lehta, përkundrazi të komplikuara për të dyja kombëtaret. Suedia do të përpiqet të bëjë gjithçka për të fituar, por të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Italia”.

Por Ibrahimoviç duket se ka individualizuar edhe “Ibrën” e kombëtares axurre.

“Verrati! Askush nuk është më i fortë sesa ai, por atë duhet ta vendosësh në vendin e duhur dhe kohën e duhur për të marrë maksimumin prej tij. Besoj se PSG-ja ka gjetur pozicionin e duhur, duke e vendosur si mesfushor qendror me tipare mbrojtëse”, thotë shtatlarti suedez.

E pashmangshme ka qenë edhe pyetja mbi “biskotën” e famshme me Danimarkën, ai rezultat 2-2 që eliminoi Italinë nga Europiani i vitit 2004.

“Në mentalitetin tim një gjë e tillë nuk ekziston dhe, kush më njeh, e di shumë mirë që unë nuk i pranoj këto gjëra. Shkoi ashtu si shkoi, por nuk ka pasur kurrë asnjë akord mes dy kombëtareve”, garanton Ibra.

Top Channel