Drejtor teknik i Chelseat? Lampard përgënjeshtron zërat

09/11/2017 12:22

Chelsea ka mbetur pa një drejtor teknik, që pas dorëheqjes së Michael Emenalo, e së fundmi në median britanike është folur se vendin e tij do ta merrte legjenda e “bluve” të Londrës, Frank Lampard.

Ky i fundit duket se është kapur në befasi nga këto lajme të publikuara, gjë që e theksoi edhe gjatë një vizite në Tokio të Japonisë.

“Nuk kisha dëgjuar për diçka të tillë, kështu që për mua edhe kjo histori është në kuadrin e thashethemeve, që janë normale në Angli”, tha Lampard.

“Ajo që mund të them unë është se kam punuar me Michaelin për 7-8 vite dhe mendoj se ai ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në periudhën e sukseseve të Chelseat. Për sa i përket kësaj historie, nëse do të jem pasuesi i tij, unë nuk di asgjë. Jam i lidhur me Chelsean dhe më pëlqen të mendoj se do të jem i përfshirë në projektet e klubit në njëfarë mënyre”, shtoi më tej Lampard.

Lampard foli edhe për sistemin VAR të arbitrimit që po përdoret në Bundesliga dhe Serie A, ndërkohë që Federata Angleze do të nisë ta eksperimentojë atë në ndeshjen miqësore që Anglia do të luajë në “Wembley” ndaj Gjermanisë.

Në fakt, përballjet mes këtyre dy skuadrave jo rrallë herë janë shoqëruar me polemika, teksa mund të përmendim golin e anuluar të Lampardit në Botërorin 2010, ndërkohë që më i famshëm është goli fantazmë i Hurst në finalen e Kupës së Botës të vitit 1966.

Lampard theksoi se përdorimi i teknologjisë është diçka pozitive, por duhet treguar kujdes në përdorimin e saj. Sipas tij, në fund vendimi – edhe pas rishikimit të videos, – do t’i takojë pikërisht arbitrit të ndeshjes.

Top Channel