Antidopingu, kontroll peshëngritësve shqiptarë

09/11/2017 15:34

Paraditen e së enjtes në Tiranë ka mbërritur një grup kontrolli antidopingu i Federatës Botërore të Peshëngritjes.

Vizita e tyre është kërkuar nga Ministria e Sportit, e cila po përpiqet që të bëjë maksimumin që sportistët tanë të jenë të pastër në botërorin që do të zhvillohet në Amerikë në fundin e këtij muaji.

“Këto janë kontrolle normale rutinë, që bëhen shpesh përpara një kampionati europian apo botëror”, thotë peshëngritësi, Erkand Qerimaj.

“Ky është një kontroll i kërkuar nga Ministria e Sportit. Kanë ardhur pa paralajmërim, siç janë zakonisht këto kontrolle nga federata botërore”, shprehet peshëngritësi tjetër, Daniel Godelli.

Megjithatë, në këtë ditë kontrollesh kanë qenë të pranishëm vetëm 3 nga 6 peshëngritësit që do të shkojnë në botëror. Briken Çalja, një tjetër sportist pretendent, po stërvitet aktualisht në Gjeorgji.

“Po stërvitem në Gjeorgji me një nga trajnerët më të mirë në botë për momentin. Kam zgjedhur vetë të stërvitem këtu. Unë e di që ka qenë një kontroll dopingu në Tiranë, por ata e kanë adresën time dhe nuk ka ndonjë problem. Pretendoj që të shkojë për medalje në këtë kampionat botëror”, deklaron Çalja në lidhje me Skype.

Kampionati Botëror i peshëngritjes do të fillojë më datë 28 nëntor, ndërkohë që garat e sportistëve shqiptarë do të jenë në data 1 dhe 2 dhjetor.

Top Channel