Spastrime te Manchester United, Mourinho nuk blen pa shitur më parë

08/11/2017 10:33

Lufta në dy fronte për Manchester United kërkon një organikë të pasur me lojtarë cilësorë, por edhe pse trajneri Jose Mourinho nuk është nga ata që kënaqet lehtë, nuk do të bëjë dot asnjë blerje në merkaton e radhës, nëse nuk largon më parë të panevojshmit.

Disa futbollistë kanë qenë larg pritshmërive në “Old Trafford”, e në një samit të fundit këtë mesjavë, drejtuesit kanë kërkuar shitjen e disa lojtarëve për t’u bërë vend të tjerëve.

Familja “Glazer” që ka në pronësi “djajtë e kuq” është treguar e pakursyer me teknikun portugez, të cilit i firmosi plot 285 milionë paund për 6 lojtarë cilësorë. Por panorama më e fundit financiare, veç fitimeve të mëdha tregoi edhe një rritje prej 13.5% në borderonë e pagave të United.

Luke Shaw duket se është mes atyre që do të sakrifikohen, pasi ka vuajtur për të gjetur një vend në formacion që prej kalimit në Manchester në vitin 2014. Marouane Fellaini ka gjithashtu oferta për t’u larguar që në janar, e nëse “djajtë e kuq” nuk e shesin, mesfushori belg mund të largohet falas në muajin qershor.

Jose Mourinho ka shitur 16 futbollistë që kur zëvendësoi Van Gaalin në vitin 2016, por largimet kanë gjeneruar pak parà. Vetëm Memphis Depay dhe Morgan Schneiderlin mund të quhen transferime me fitim për “djajtë e kuq” në epokën e luzitanit.

Top Channel