Në konferencën për shtyp të kësaj të mërkure nga Kombëtarja kuqezi e U21-shit kanë dalë dy futbollistët Ylber Ramadani dhe Emanuele Ndoj, të cilët kanë folur mbi ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut, sfidë që do të luhet në datën 10 nëntor, ora 18, në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.

Emanuele Ndoj është futbollist që ka debutuar pikërisht ndaj Irlandës së Veriut, në një sfidë me fund “të hidhur” pasi u humb në minutën e 95-të për shkak të një 11-metërshi, por tani kërkon fitoren për të mbajtur shpresën gjallë për vijimin e mëtejshëm.

“Kërkojmë fitoren për të pasur mundësi të kalojmë grupin dhe të shkojmë në Europian. Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje, jemi të përqëndruar dhe shpresojmë te fitorja”, tha Ndoj.

Futbollisti që aktivizohet në radhët e Brescias në Itali është grumbulluar edhe me Kombëtaren kuqezi të Christian Panuccit, por nuk mundi të luante si pasojë e një dëmtimi. Tashmë ai ndihet i rikuperuar, shumë mirë në aspektin fizik dhe kërkon të japë maksimumin për Shpresat.

“Kjo ndeshje është një test për ne lojtarët e rinj, pse jo për të shpresuar më pas edhe grumbullimin nga Shqipëria në Kombëtaren e parë”, tregon Ndoj mbi synimet e tij.

Sa i përket ndeshjeve të U21-shit dhe pikëve që ka aktualisht në grup, Ndoj thotë se mund të kishin bërë edhe më mirë, por pikët aktuale nuk përputhen me lojën që kanë shfaqur në fushën e lojës përkundrejt rivalëve të tjerë.

Shpresat e Shqipërisë do të luajnë pa sulmuesin kryesor ndaj Irlandës së Veriut, por Ndoj thotë se ekipi e ka kontigjentin e duhur për të bërë një lojë të mirë e për të tentuar fitoren, pse jo për të përsëritur ndeshjen në Islandë, kur kuqezinjtë e vegjël triumfuan 2-3.

Fitoren synon edhe futbollisti tjetër Ylber Ramadani.

“Që nga dita e parë që kemi ardhur këtu në grumbullim jemi përqëndruar për të hyrë në fushë për të bërë lojën tonë e në fund ta fitojmë ndeshjen. Edhe pse nuk kemi menduar për fitoren me çdo kusht, pasi euforia mund të dëmtojë ekipin”, thotë Ramadani.

Edhe ky futbollist do të ketë mundësinë të grumbullohet me Shqipërinë në Antalia, për miqësoren ndaj Turqisë, pas zhvillimit të sfidës me Irlandën e Veriut. Ai nuk e fsheh dëshirën për të luajtur me Kombëtaren e parë, siç do të dëshironte çdo futbollist, qoftë edhe për një minutë të vetme.

Ramadani është cilësuar në qarqet sportive si pasuesi i denjë i Burim Kukelit me ngjyrat kuqezi.

“Më vjen mirë që më kanë dhënë këtë vlerësim, por së pari më duhet të vazhdoj të bëj më së miri punën time, të lë gjurmët e mia dhe në të ardhmen të konsiderohem edhe unë si dikush për të cilin duhet gjetur zëvendësues”, shprehet Ylber Ramadani.

Sipas tij, nëse fitohet ndeshja e së premtes, Shpresat do të kenë shumë mundësi për të kapur vendin e dytë. “Mendoj se kemi luajtur deri më tani më mirë sesa kundërshtarët tanë, besoj se do ta fitojmë sfidën e radhës dhe pse jo të dalim me sukses nga këto kualifikuese”, shtoi më tej ai.

Edhe pse me impenjim të dyfishtë, me U21 dhe më pas me Shqipërinë në Antalia, Ramadani premton se nuk do të kursehet asnjëherë të japë më të mirën për Shpresat, pasi është ky ekip grupmoshash që e ka bërë të bjerë në sy dhe të jetë pretendent për Kombëtaren A.

Rivalët nga Irlanda e Veriut cilësohen si një ekip më shumë fizik sesa teknik, por dy futbollistët e Shpresave nuk iu tremben dhe janë të bindur se do të hyjnë për fitore dhe do t’ia dalin mbanë.

Top Channel