Opozita rakordon aksionin kundër qeverisë. Pas takimit në zyrën e kryetarit të PD mes Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe kreut të grupit parlamentar të LSI Vasili doli një kërkesë drejtuar presidentit Meta.

Shtatë deputetë të PD dhe LSI i kërkojnë kreut të shtetit të publikojë të dhënat e raportuara nga institucionet për luftën ndaj drogës, me qëllim që të ballafaqohen rezultatet me argumentin se tani ka një ndjeshmeri për situatën e rëndë të trafikut narkotikëve dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në të, e mbi të gjitha, siç thuhet edhe në letrën drejtuar Metës, skandalit të publikuar në media për dosjen “Habilaj”.

Kundërpërgjigjia e mazhorancës ishte në bllok për dy çështjet më të ndjeshme sipas tyre. Taulant Balla akuzoi prokurorinë se po kërkon të mbyllë cështjen “CEZ” pa marrë në pyetje asnjë të akuzuar, mes tyre edhe ish-kryeministrin Berisha.

“Kush janë këta prokurorë që u është dhënë e drejta të mos marrin fare në konsideratë se çfarë ka hetuar Kuvendi i Shqipërisë. Prova rrënqethëse të korrupsionit shtetëror. Pse ky standard krejt i dyfishtë i prokurorisë, që kompromenton tërësisht këtë organ si të përdorur në funksion të luftës së dëshpëruar për pushtet? Të jeni të sigurtë që drejtësia e re po vjen dhe për këta prokurororë e këta gjyqtarë që kanë vendosur ta kenë aleat korrupsionin e krimin, nuk do të ketë më vend në Shqipëri. Doni peshq të mëdhenj? Ja ku i keni”, deklaroi Balla.

Ndërsa Klotilda Ferhati iu rikthye për të disatën herë akuzave ndaj Lulzim Bashës, për presion të ushtruar ndaj KQZ-së për mandatin e Agron Kapllanajt.

“Lulzim Basha vazhdon të bëjë hetuesin, prokurorin, gazetarin dhe të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës, duke shkelur kështu ligjin e tij të dashur të dekriminalizimit për të dytën herë. Është hera e dytë që Lulzim Basha merr në mbrojtje njerëzit e tij të kapur me presh në duar dhe është hera e dytë që refuzon të marrë përgjegjësinë në detyrë si kryetar i Partisë Demokratike. Ne socialistët, respektimin e ligjit dhe barazin e të gjithë shtetasve para ligjit e kemi treguar me fakte, veprime dhe jo me fjalë”, tha Ferhati.

Top Channel