Arti i Viktor Gjikës, kujtohet krijimtaria e regjisorit

08/11/2017 20:25

Sikur asnjë film tjetër të mos ishte bërë Viktor Gjika, mjafton “Nëntori i dytë”, që brezat me radhë të kujtojnë atë, të identifikojnë Sandër Prosin si Ismail Qemalin, dhe të njohin periudhën historikë më të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Por krijimtaria e tij shënjon me “Njeriu me top”, “Rrugë të bardha”, “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata” etj. Viti 2017 shënon atë që do të ishte ditëlindja e 80-të e regjisorit, për këtë TIFF e sjell atë në Fokus, duke shfaqur në kinemanë e Arkivit te Filmit, katër veprat e tij më të njohura, në 35mm.

“Viktori bën pjesë në kineastët, të cilët u përgatitën në shkollat më të mira kinematografike, siç ishte shkolla e Moskës. Temperamentin e tij e reflektonte edhe në veprat që realizonte. Ka trajtuar filma historikë si “Nëntori i dytë”, që do ngelet përjetësisht një vepër monumentale, filmi “rrugët e bardha” i përshkruar nga një humanizëm i thellë njerëzor”, shprehet Piro Milkani, regjisor.

Filmat e shfaqur do të jenë me subtitrimim në anglisht. Puna e Viktor Gjikës, ende diskutohet nga kritikët e kinemasë të cilët përpiqen të kuptojnë nocionet komplekse të artit dhe kulturës në Shqipëri gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës. Ndërkohë që miqtë e kujtojnë kështu.

“Viktori ka qenë shoku im i fëmijërisë dhe gjithmonë ka qenë një hap para meje. Më dërgonte nga Moska letra, më të shkurtrat ishin 15, 20 faqe. Jeta na bashkoi përsëri në kinostudio. Ne patëm rastin të bashkëpunojmë, vetëm në një film “Detyrë e posatshme”. Ishim të dy drejtorë fotografie”, thotë Milkani.

Ai është një figurë emblematike e kinemasë shqipe, dhe meriton çdo titull që ka marrë. Madje meriton edhe trashëgiminë e emrit të tij.

“Meriton që një rrugë e qytetit të tij të dashur, Korçës, të mbajë emrin e tij”, shprehet Piro Milkani.

Top Channel