Korsi biçikletash dhe në bulevardin “Zogu I”

05/11/2017 12:39

Edhe bulevardi “Zogu I” do të ketë një korsi për biçikleta duke iu bashkuar rrugëve të tjera si “Dritan Hoxha”, në Unazës e Vogël, rruga e “Dibrës” dhe zona urbane e Unazës së Madhe.

Fillimi i punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ky investim do të përfundojë brenda këtij viti.

“Jam shumë entuziast që projekti ynë i korsive dedikuar biçikletave po merr një përmasë tjetër, pra po del përtej zonës së qendrës. Po bëjmë një lidhje me sheshin “Skënderbej” dhe me Bulevardin e Ri, për t’u siguruar që ishujt si sheshi i Bulevardit të Ri, sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri apo zona e Liqenit, fillimisht lidhen mes tyre për të krijuar një rrjet minimal të biçikletave”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj nënvizoi se me ndërtimin e këtij segmenti, për të vijuar më pas me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mundësohet krijimi i një aksi qendror të korsive për biçikleta që nis në Kodrat e Liqenit dhe përfundon në Bulevardin e Ri.

“Do të vazhdojmë edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u siguruar që i gjithë segmenti kryesor, duke filluar nga Parku i Liqenit, ku edhe aty po bëhen korsitë e biçikletave, deri në fund të Bulevardit të Ri, të konturohet me korsi të dedikuara. Pastaj, shtigjet e biçikletave në zonat e tjera të qytetit do t’i markojmë me sinjalistikë vertikale mbrojtëse, që edhe për ata shoferë të papërgjegjshëm që hynë në korsitë e biçikletave apo bezdisin ata që përdorin biçikleta, të kemi një garanci sigurie”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku shtoi se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që të krijojë një rrjet sa më të madh të korsive të dedikuara për biçikletat, ku vetëm në fazën e parë parashikohen të ndërtohen 10 kilometra të tilla.

Top Channel