Bakaj: Ambient fantastik, jemi më mirë se vitin e kaluar

04/11/2017 13:17

Sulmuesi i Kukësit, Elis Bakaj vlerëson si pozitive paraqitjen e skuadrës në këto javë të para, teksa thekson se ka mbledhur më shumë pikë se vitin e kaluar.

“Kam parë disa statistika të Kukësit të vitit të shkuar dhe shikoj që këtë vit jemi 3-4 pikë më shumë se një vit më parë. Kështu që nuk mendoj se është gjendje e keqe. Ekipi po ecën mirë dhe kemi shënuar shumë gola, por është e drejtë që kemi pësuar 6 gola, që janë shumë për një skuadër si ne”, tha tiranasi.

Elis Bakaj vlerëson kundërshtarin, por thekson se Kukësi do të kërkojë vetëm fitoren në Vlorë, ndërsa shpreh keqardhje për mungesën e tifozëve.

“Flamurtari është një ekip i mirë, bën pjesë te pretendentët e këtij sezoni, por ne do të kërkojmë fitoren dhe i kemi të gjitha mundësitë që t’ia dalim. Më vjen keq që nuk do të ketë tifozë, sepse ata janë një motivim më tepër në fushë”, tha Bakaj.

Sulmuesi i Kukësit tregoi se atmosfera në klub është mjaft e mirë, ndërsa theksoi se nuk ka preferenca për pozicionin në fushë.

“Atmosfera është mjaft e mirë dhe këtë e thonë edhe ata që janë më të vjetër se unë në këtë klub. Kemi shumë futbollistë të mirë dhe po punojmë për të realizuar objektivat sezonalë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Sa i përket pozicionit tim në fushë, mendoj se ideali për mua është pas sulmuesit të parë, por mund të luaj kudo ku ka nevojë trajneri dhe skuadra. NUk kam si synim titullin e golshënuesti, por vetëm të arrijmë objektivat sezonalë me skuadrën”, tha Bakaj në deklaratën e tij, një ditë para ndeshjes në Vlorë.

Top Channel