Komisioni i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit rrëzoi kërkesën e skuadrës së Vllaznisë për të zhvilluar ndeshjen e radhës në Kategorinë Superiore, në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Qeveria e futbollit shqiptar, edhe pse fillimisht kishte aprovuar kërkesën e kuqebluve për të qenë më pranë tifozëve, ka dalë me një vendim të ri, që detyron ekipin e trajnerit Gjoka të emigrojë.

Klubi shkodran është njoftuar se ndeshja nuk do të luhet në fushën “Reshit Rusi”, pasi nuk plotëson disa kushte të kampionatit elitar në vendin tonë.

Komisioni i Licencimit të Klubeve, në mbledhjen e fundit renditi disa kritere që Vllaznia nuk plotëson si ekip pritës me opsionin e fushës, mes të cilave gjendja e tapetit të barit dhe dhoma mjekësore.

Punimet që po bëhen në stadiumin “Loro Boriçi” detyruan Vllazninë të kërkonte alternativa për të zhvendosur javën e 9 dhe të fundit për këtë fazë të parë, në fushën tjetër të ekipit.

Por terreni artificial është rrëzuar nga FSHF. Si për ironi, ndeshja e së dielës në orën 14:00 do të luhet në Korçë, me Skënderbeun përfitues kryesor, pasi do të luajë në stadiumin e shtëpisë dhe përballë publikut të tij, kur këtë ndeshje e kishte llogaritur në transfertë.

Top Channel