Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është takuar me homologun e tij të Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, takim që për të vendos një gur themeli mes dy qyteteve.

“Kemi një grup të madh kompanish arkitekturore që bëjnë punë fantastike në qytetin e Tiranës, por besoj se kemi ende shumë për të mësuar në çështje të urbanistikës. Me ambasadën e Holandës kemi filluar rrjetin tonë të biçikletave, kemi gjithashtu shumë për të mësuar nga Roterdami dhe besoj që sot është fillimi i një marrëdhënie speciale me Bashkinë e Roterdamit”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana në një periudhë kaq të shkurtër.

“Është fantastike të jesh këtu. Është vizita ime e parë në Shqipëri dhe kur avioni po ulej në Tiranë, pashë një vendi me gjeografi shumë të bukur, me male, kodra, toka të sheshta, fermerë. Qyteti është transformuar tërësisht vitet e fundit. Të dyja qytetet tona kanë një histori të komplikuar. Ju keni historinë e komunizmit, kurse ne historinë e nazizmit, që shkatërroi Roterdamin. Qendra e qytetit të Roterdamit ishte shkatërruar plotësisht, na u deshën 75 vjet ta rindërtonim qytetin. Ju e rindërtuat demokracinë në 25 vjet. Dua të them se ju po ecni më shpejt se ne që e bëmë në 75 vite”, deklaroi Ahmed Aboutaleb.

Kryebashkiaku i Roterdamit tha se shtimi i marrëdhënieve midis qyteteve po merr një rëndësi edhe më të madhe për krijimin e mundësive dhe të lehtësirave për qytetarët.

Më pas, kryebashkiakët Veliaj dhe Aboutaleb zhvilluan një vizitë në sheshin “Skënderbej”, te Pazari i Ri, i cili tashmë është transformuar tërësisht, duke u kthyer në një nga atraksionet për turistët e shumtë vendas dhe të huaj, si dhe në muzeun “Bunk’Art”.

Top Channel