Edicioni i 15-të i Tirana International Film Festival çel siparin mbrëmjen e së premtes me premierën europiane të “Elvis walks home” nga Fatmir Koçi.

Këtë herë TIFF vjen me numrin më të madhe ndonjëherë të filmave të përzgjedhur. Plot 254, nga 113 vende të botës.

“E reja e festivalit janë filmat e festivalit. Janë të gjithë të rinj, janë premiera padysh kombëtare. Kemi futur një program të gjerë dokumentar dhe dokumentari ka marrë një hapësirë, të merituar. Me kompeticion më vete. Këtë vit kemi për publikun shqiptar por edhe të huaj, jemi fokusuar tek Viktor Gjika me rastin e 8 vjetorit të lindjes”, shprehet Agron Domi, Drejtor i Tirana International Film Festival.

“Special Screenings” do të ketë premierën rajonale të filmit dokumentar të vlerësuar në Locarno Film Festival, A Skin So Soft nga regjisori i mirënjohur kanadez, Denis Cote, i cili do ta prezantojë personalisht premierën në Tiranë para publikut të interesuar, i cili foli edhe për rolin e madh te krijimit të një komuniteti që e do kinemanë.

“Çështja e krizës së publikut që nuk vjen në kinema, mendoj që është një çështje respekti deri diku. Tani janë mësuar kaq shumë që ti shohin filmat në internet dhe shumicën e rasteve në mënyre ilegale saqë e kanë humbur edhe releksin e të shkuarit në kinema. Është përgjegjësia e të gjithëve ne për të afruar publikun tek kinemaja, njerëzit tek kinemaja”, shprehet Denis Cote, kryetar i jurisë.

Tiff do të mbahet në Kinema Imperial, në teatrin e Kukullave dhe Tulla Center deri më 11 nëntor me moton “Picture your Life – Create the Future”.

Top Channel