Një futbollist maqedonas ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri rreth orës 18 të mbrëmjes, në rrugën “Vladimir Komarov” të periferisë së Shkupit.

Viktima është identifikuar si Martin Janushev, i cili u qëllua me disa plumba në kokë dhe në qafë. Edhe pse kalimtarë të rastit të ndodhur në vendngjarje e dërguan atë me automjete private drejt Klinikës së specializuar për ndërhyrje kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit”, ai ka mbërritur atje pa shenja jete.

Është vet klinika që ka njoftuar përmes një deklarate se, personi i qëlluar mbrëmjen e sotme ishte dërguar i pajetë në institucionin shëndetësor. “Edhe krahas përpjekjeve të mjekëve për ta risjellë në jetë, pas 40 minutash është konstatuar vdekja e tij”, thuhet në komunikatë.

Në vendngjarje shkuan menjëherë forca të shumta policie, të cilët nisën hetimet mbi vrasjen. Mësohet se agresori është larguar nga vendi i ngjarjes, por duke lënë armën në vendin e krimit.

Top Channel