“Kumanova”, Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar

03/11/2017 21:09

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për çështjen “Kumanova”, një ditë pas dënimit në Maqedoni të pjesëtarëve të grupit të armatosur.

Tetë policë maqedonas dhe 14 anëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve më 9 dhe 10 maj të vitit 2015.Prej 37 të akuzuarve, shumica shtetas të Kosovës, 7 u dënuan me burgim të përjetshëm; 13 të tjerë me nga 40 vite heqje lirie; ndërsa dënimet e tjera variojnë nga 13 deri në 20 vite burgim.

Katër nga të akuzuarit u lanë të lirë, por Haradinaj hedh dyshime mbi drejtësinë maqedonase dhe kërkon hetim ndërkombëtar.

“Ka plot argumente që vërtet e bëjnë të nevojshme kalimin e këtij procesi gjyqësor në duart e ndërkombëtarëve, të prokurorëve, gjyqtarëve, sepse duhet të analizohen të gjitha rrethanat misterioze të ngjarjes së atëhershme. Edhe aspektet e tjera nacionale e ndërkombëtare të asaj ngjarjeje tragjike derisa të dalë një e vërtetë, derisa të vendoset drejtësia, sepse askush nuk është kundër drejtësisë dhe të vërtetën e synojmë, por mendojmë se dalja nga një gjendje e krijuar dje është pikërisht duke ia besuar drejtësisë ndërkombëtare”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri propozoi themelimin e një “Gjykate Speciale” për Kumanovën. Protesta u zhvilluan të premten në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi e për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Shkupit.

Të enjten pati manifestime edhe në Pejë e Gjilan. Protestuesit pretendojnë se të akuzuarit janë viktima të një komploti të ish-qeverisë maqedonase. Ministria e Jashtme e Kosovës ka thirrur për këshillime të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, e gjithashtu ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë.

Top Channel