Klosi: Ndotësit, “strehë” tek drejtësia

03/11/2017 18:45

Pas akuzave për vetë strukturat e mjedisit, qeveria thotë se ndotësit e mëdhenj kanë gjetur strehë edhe të organet e drejtësisë, ku ankimojnë revokimin e licencave vetëm e vetëm për të fituar kohë.

“Jemi bashkë me Bashkinë e Tiranës për të ndjekur problemin e pikave të grumbullimit të skrapit në Tiranë dhe në bashkitë e tjera. Arritëm të mbyllnim 28 pika, por ndërkohë kemi evidenca që këto kompani vazhdojnë ta çojnë çështjen në gjykata që të fitojnë kohë, kur u mbyllet në Tiranë e hapin në bashkitë afër”, thotë ministri Klosi.

Për ministrin Klosi, megjithëse ka një ligj për trajtimin e mbetjeve, një vendim qeverie po ashtu ka një mungesë që ekzekutivi do ta zgjidhë menjëherë.

“Ligji konkret, vendimet e qeverisë janë të pafuqishëm pasi mungon një udhëzim që të thotë që një pikë skrapi duhet të ketë këto karakteristika, duhet të ketë këto përmasa. Në mungesë të këtij udhëzimi gjithë situata zhvlerësohet”, deklaron ministri.

Pastrimi, rehabilitimi dhe krijimi i mekanizmave administrativo- ligjorë janë 3 elementët e strategjisë së qeverisë për mjedisin. Strategji që, sipas Klosit, më datë 1 qershor 2018 do ta zgjojë Shqipërinë të pastër.

Top Channel