Anthony Martial do të jetë pjesë e Kombëtares franceze të futbollit për miqësoret e këtij muaji kundër Uellsit dhe Gjermanisë.

Trajneri Didier Deschamps zyrtarizoi listën e “Gjelave” për sfidat e nëntorit, e në të ka jo pak surpriza.

Sulmuesi i Manchester United, Martial nuk luante për Kombëtaren e tij që prej tetorit të vitit 2016, por është vlerësuar për paraqitjet me “djajtë e kuq”.

Transalpinët do të kenë mundësi të përfitojnë edhe shërbimet e kapitenit të Lionit, Nabil Fekir. Ky i fundit ka pasur impakt në këto dy muaj në kampionatin francez Ligue 1, e pritet të luajë ndaj Uellsit dhe Gjermanisë.

Ndërkohë, futbollisti i Sevillës, Steven N’Zonzi do të debutojë me Kombëtaren e “gjelave” këtë muaj, pasi më parë ka provuar vetëm ekipet e moshave. Mundësi për debutim në fushë edhe për mbrojtësin e Stuttgart, Benjamin Pavard.

Ashtu siç pritej, do të mungojnë mesfushori Paul Pogba i dëmtuar dhe sulmuesi Karim Benzema, në formë optimale, por që ka ekipin dhe tifozët kundër për çështje që nuk kanë të bëjnë me sportin.

Franca pret Uellsin në “Parc des Princes” më 10 nëntor, para se të përballet me Gjermaninë kampione të botës, 4 ditë më vonë.

Top Channel