Sfidat e integrimit, Mesi në konferencën ekonomike në Budva

02/11/2017 18:42

Zv/Kryeministrja Senida Mesi ka marrë pjesë në Konferencën Ekonomike të Ballkanit Perëndimor “Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Europian”, organizuar këtë të enjte në Budva të Malit të Zi nga Dhoma e Ekonomisë së këtij vendi dhe qeveria malazeze.

Në panelin e diskutimit të kësaj konference ku ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit, Mesi nënvizoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe sinergjisë, pavarësisht sfidave të ndryshme që mund të ketë secili shtet i Ballkanit Perëndimor.

Mesi u ndal tek integrimi drejt Bashkimit Europian si një mision i përbashkët i shteteve të Ballkanit Perëndimor. Brenda këtij kuadri, ajo foli për progresin që Shqipëria ka bërë dhe nënvizoi faktin se qeveria shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar në plotësimin e çdo prioriteti për arritjen e këtij synimi madhor.

Në takimin e zhvilluar me kryeministrin malazez Mesi theksoi vendosmërinë e palës shqiptare për të rritur dhe thelluar bashkëpunimin në ekonomi dhe tregti.

Me homologun serb Ljajic, Zv/Kryeministrja Mesi diskutoi marrëdhëniet dypalëshe dhe progresin e tyre falë mirëkuptimit të përbashkët, si edhe theksoi nevojën e një agjende konkrete shkëmbimesh në fusha të ndryshme si tregtia, turizmi, energjia, transporti etj.

Top Channel