Taksa e ndërtimeve djerrë, do të paguajnë ata që shkelin lejen

01/11/2017 17:31

Ndërtimet e papërfunduara në Tiranë do t’i nënshtrohen njësoj taksimit të pronës, si ndërtesat e tjera. Ky është propozimi që vjen nga Bashkia e Tiranës, i cili pritet të japë zgjidhje zvarritjes së ndërtimeve, ku shumë ndërtues nuk kanë arritur t’i përfundojnë në kohë punimet.

Qeveria ka pranuar propozimin e Bashkisë së Tiranës për të parashikuar në Buxhetin Shtetit për vitin 2018 detyrimin që të gjitha ndërtimet që nuk janë përfunduar brenda afateve kohore që përcakton leja e ndërtimit të tatohet me taksën e pronës.

Këtë e bëri të ditur këtë të mërkurë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë takimit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, i cili theksoi se ky propozim vjen si një zgjidhje që i jepet një problemi shqetësues jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, por edhe për shumë qytetarë që ankohen për zvarritje pa fund të punimeve nga ndërtuesit.

“Qytetet tona janë të mbushura me ndërtesa, edhe këtu në qendër të Tiranës, që kanë ngelur karkasë, pra kanë ngelur vetëm një zhguall dhe nuk ka mbaruar kurrë. Ligji deri dje u kërkonte bashkive që të vinin një gjobë modeste për shtyrje të lejes, ndërkohë që mund të vazhdojnë me 20-30 vjet të ngelen një zhguall bosh në mes të qyteteve. Qeveria ka marrë parasysh propozimin tonë për t’i venë ekuivalenten e 30 përqind të taksës së pronës këtyre ndërtesave në momentin që u ka kaluar afati i lejes së ndërtimit. Pra, fillon paguhet taksa e pronës dhe të paktën e dimë që mund të vazhdojë edhe 100 vjet zhgualli bosh në mes të qytetit, por për sa kohë që bashkia po e takson si një pronë efektive, të paktën do të shtyhet dikush që ta mbarojë në kohë”, tha kreu i Bashkisë.

Në emër të Shoqatës për Autonominë Vendore, Veliaj vuri në dukje efektet pozitive që ka patur Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, i cili ka mundësuar që bashkitë që kanë më shumë projekte zhvillimi apo investimesh të përfitojnë edhe më shumë fonde.

Top Channel