Horner: Red Bull, pikë referimi e Renault

01/11/2017 14:46

Red Bull pritet të jetë pikë referimi në Formula 1 për Renault, pavarësisht partneritetit të ri që kompania e prodhimit të motorëve ka arritur me McLaren.

Siç është bërë zyrtare tanimë, kompania franceze do të furnizojë me “Power Unit” deri në vitin 2020 skuadrën angleze, pas dështimit që kjo e fundit pati në 3 vitet e fundit me japonezët e Honda.

Por fakti që edhe McLaren do të furnizohet me Renault, nuk e shqetëson aspak shefin e Red Bull, skuadrës që në vitet e fundit ka patur shumë sukses me motorët francezë.

“McLaren është një skuadër e madhe, me pilotë të fortë dhe mezi presim që të përballemi me ta në pistë. Por ne kemi bërë shumë përparime në pjesën e dytë të sezonit dhe objektivi ynë është që të vijojmë edhe në vitin 2018. Renault ka si pikë referimi Red Bull”, u shpreh Horner.

Renault dhe McLaren furnizohen nga e njëjta kompani e karburanteve, BP, ndërkohë që Red Bull furnizohet nga Mobil: kjo në fakt duket si një lidhje që shkon në favor të McLaren, por për momentin palët nuk duan të spekulojnë në këtë aspekt.

Shefi I Red Bull ka nënvijëzuar se zhvillimet e fundit për karburantin kanë ndikuar në mënyrë të dukshme në përmirësimin e paraqitjes së Red Bull në finale e sezonit: “Kemi bërë përmirësime që na kanë dhënë mundësinë të jemi konkurrues, madje edhe të fitojmë ndaj Mercedes”, u shpreh Horner.

Ndërkohë që nga periudha e pushimeve të verës, Red Bull ka bërë më mirë se Ferrari, edhe pse Ferrari ka një garë më shumë të fituar (të gjitha me Vettel). Skuadra austriake ka marrë 156 pikë kundrejt 137 të kokëkuqes.

Top Channel