Klima e biznesit, Vlerësimi i BB: Humbim shtatë vende

31/10/2017 18:04

Qeveria thotë se ka planifikuar lehtësira fiskale për vitin 2018 për të thithur investime të reja nga jashtë.

“Të mund të japin prioritet zhvillimit të potencialeve ende të pazhvilluara, siç janë në ende në fushën e turizmit, industrisë dhe bujqësisë. Ndaj, ne ftojmë të gjithë sipërmarrësit italianë në vendin tonë për të ardhur dhe për të investuar kapitalet e tyre pasi kushtet që do të krijojë qeveria për kapitalet e tyre, financiare dhe ekonomike, do të jenë të atilla që do ta lehtësojnë shumë barrën dhe peshën e sipërmarrjes italiane në këtë vend”, deklaroi ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato.

Por në Shqipëri ka investitorë të huaj që operojnë prej vitesh.

“Instrumenti më i mirë për të tërhequr investitorë të huaj është që më parë të trajtohen mirë ata që janë, ata që i kanë investimet e tyre prej vitesh në Shqipëri, sepse ata që duan të vijnë më parë do të na pyesin ne se si është Shqipëria”, thotë sipërmarrësi italian, Silvio Petrazzi.

Vështirësitë që hasin investitorët e huaj në Shqipëri konfirmohen edhe nga banka botërore. Në raportin “Të bësh biznes 2018, Shqipëria u rendit në vendin e 65 në botë për klimën më të mirë të biznesit duke humbur 7 vende krahasuar me një vit më parë.

Ndonëse renditet pozitivisht në nisjen e një biznesi, aksesin në kredi, zbatimin e kontratave dhe mbrojtjen e investitorëve, klima e investimeve në Shqipëri penalizohet nga një sërë faktorësh të tjerë. Ato janë vështirësitë në marrjen e lejeve të ndërtimit, problemet me pronat, lidhja në rrjetin e energjisë elektrike si dhe pagesa e taksave.

Sipas raportit, në të katër këto fusha Shqipëria renditet poshtë vendit të 100 në botë, duke u marrë bizneseve jo vetëm shumë kohë, por edhe kosto të larta financiare.

Top Channel