Policia greke ka deklaruar se ka arrestuar në Athinë një person në lidhje me serinë e letrave bombë që u ishin dërguar zyrtarëve të shumtë të BE-së më herët gjatë vitit.

Tetë pako me eksploziv u bllokuan nga policia helene në kryeqytet në muajin mars, pasi një e tillë iu dërgua zyrës së FMN-së në Paris dhe ministrit gjerman të Financave në Berlin.

Gjithashtu, ish-kryeministri grek Lucas Papademos mbeti i plagosur nga shpërthimi, i ndodhur teksa po hapte një zarf në makinën e tij, në muajin maj.

Organet greke të rendit bëjnë me dije se personi i arrestuar është një 29-vjeçar grek, ndërkohë që njësitë e anti-terrorit janë në kërkim të të dyshuarve të tjerë.

Ende nuk dihet nëse i riu është i lidhur me grupet greke të ekstremit të majtë Komploti i Celulave të Zjarrit, që konsiderohet dërguesi i letrës-bombë tek ministri gjerman, Wolfgang Schaeuble.

Grupi në fjalë lindi në vitin 2008, gjatë kulmit të krizës financiare greke. Ai akuzohet për dërgimin e një vale letrash-bombë ndaj zyrtarëve në vitin 2010, gjë që detyroi autoritetet helene të pezullonin përkohësisht postën kombëtare.

Një pjesë e anëtarëve të grupit po vuan ndërkohë dënime të rënda me burg, të dhëna në vitin 2011.

Top Channel