Thaçi nuk tërhiqet: Pasaporta shqiptare nëse izolimi i Kosovës vazhdon

27/10/2017 12:12

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi edhe një herë për “Der Standard” se propozimi i tij mbi pajisjen e shtetasve kosovarë me pasaporta shqiptare është në përputhje të plotë me ligjin e u përpoq njëkohësisht të davariste shqetësimin e Shqipërisë së Madhe.

Komisioni Europian ka qenë i padrejtë ndaj Kosovës, u shpreh Thaçi, për këtë arsye qytetarët e saj e kanë humbur besimin e një axhende pozitive për vendin. Izolimi që po u bëhet atyre me vizat është arsyeja që nxorri në dritë idenë e nevojës për shtetësi shqiptare. U mbetet kosovarëve, vazhdon Thaçi, të vendosin nëse dëshirojnë dyshtetësi apo jo.

Por, nëse Komisioni Europian e ndjek linjën e këtij izolimi, nuk është çudi që të ndodhë një gjë e tillë. Prishtina ka përmbushur plotësisht 94 nga 95 kriteret për liberalizim të vizave, kujton Presidenti. “Ne kemi qenë besnikë, por përmbushja e këtyre kritereve nuk është shpërblyer nga Komisioni, i cili është fokusuar vetëm tek Serbia dhe shqetësohet vetëm për të e jo për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, është argumenti i tij.

Pyetjes nëse e kishte diskutuar propozimin e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Thaçi iu përgjigj duke thënë se mesazhi i tij ishte i qartë për të gjithë. Fakti që kosovarët mund të kenë shtetësi shqiptare, e shtyn “Der Standard” të ngrejë edhe çështjen e të drejtës së votimit, çka nxit, sipas gazetës, shqetësimin e një Shqipërie të Madhe. Thaçi e hodhi poshtë si të pavend një ide të tillë, duke shpjeguar se nisma e tij ka të bëjë me lirinë e lëvizjes si e drejtë elementare e njeriut.

Sa për dialogun me Serbinë, ai nuk ka alternativë. “Ne duam të përfundojmë me një marrëveshje historike përfundimtare procesin e normalizimit dhe të pajtimit”, deklaroi Presidenti i Kosovës.

Top Channel