Përmbush detyrimet, Greqia merr 800 mln Euro nga kësti i radhës

27/10/2017 10:40

Mekanizmi Europian i Stabilitetit, (ESM) ka miratuar disbursimin e pjesës së mbetur nga kësti i fundit i fondit të ndihmës financiare për Greqinë, me një vlerë prej 800 milionë Euro.

Lëvrimi i fondit është kryer pasi përfaqësuesit e kreditorëve kanë konfirmuar respektimin e afateve kohore për reformën e sigurimeve sociale, likuidimin e borxheve të prapambetura të sektorit publik dhe rillogaritjen e pensioneve.

Siç ka theksuar shefi i ketij mekanizmi, Klaus Regling, Greqia ka tejkaluar synimin e parashikuar në program dhe kjo do të ketë një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit.

Bashkë me pjesën e fundit të këstit, Greqia ka marrë nga ky mekanizëm financiar i krijuar posaçërisht për të dhe më pas në përgjithësi për krizat financiare në Eurozonë, mbi 40 miliardë euro nga paketa prej 86 miliardë e parashikuar në programin e saj të tretë të ndihmës nga kreditorët e huaj që parashikohet të mbarojë në gusht të vitit 2018.

Ndërkohë, Athina vazhdon në një klimë pozitive negociatat me ekspertët e grupeve të kreditorëve për mbylljen e vlerësimit të tretë të këtij programi, për të cilin burime qeveritare shprehen me optimizëm se mund të përfundojë deri në fund të vitit.

Megjithëse ka disa shqetësime në lidhje me reformat tatimore, ndryshimet në tregun e punës, privatizimin e Koorporatës Publike të Energjisë, apo dhe te operatorit të rrjetit të gazit natyror, kryeministri Tsipras ka premtuar orët e fundit një lehtesim tatimor për grekët me të ardhura të ulëta dhe të mesme në fund të vitit 2018.

Top Channel