Mercedesi, në krye të sesionit të parë të provave të lira në Meksikë

27/10/2017 18:56

Mercedesi nuk di të ndalet në këtë fundsezoni. Sesioni i parë i provave të lira për Çmimin e Madh të Meksikës e tregoi edhe njëherë këtë, teksa dy “shigjetat e argjendta” zunë vendet e para, me finlandezin Bottas përpara britanikut Hamilton.

Bottas regjistroi kohën 1 minutë, 17 sekonda dhe 824 të mijëtat, ndërsa pretendenti për t’u shpallur kampion bote për herë të katërt në Formulën 1, Hamilton ishte pak më pak sesa gjysmë sekonde pas tij.

Megjithatë, detaji për t’u theksuar është se Mercedesi i regjistroi këto kohë me gomat “ultrasoft”.

Pas tyre renditen dy makinat Red Bull të Verstappenit dhe Ricciardos, e më pas dy “kokëkuqet” nga Maranello, me Vettel përpara finlandezit Raikkonen, që të gjithë këta që xhiruan me gomat “supersoft”.

Për dy ferraristët janë regjistruar edhe dalje nga pista, por që pa rrezik duke qenë se është vetëm dita e parë e provave.

Edhe kjo garë do të nisë me penalitete, duke nisur nga francezi Ocon me Force India, e deri te Pierre Gasly me Toro Rosso, me këtë të fundit të dënuar me 5 pozicione. Dënime më të rënda janë ato të McLarenit, edhe pse kjo nuk përbën më lajm tashmë. Fernando Alonso dhe Stoffel Vandoorne do të zbresin me 20 dhe 35 pozicione (virtualisht) për shkak se kanë ndërruar disa pjesë të njësisë motorike Honda.

Top Channel