Ibrahimoviç: Përfundoj atë që nisa, dua “Premier League”-n

27/10/2017 17:27

Zlatan Ibrahimoviç është thuajse gati të rikthehet në fushat e blerta, e sigurisht mezi pret ta bëjë këtë gjë.

“Do të kthehem për të përfunduar atë që nisa”, thotë sulmuesi suedez, i cili është ndalur që prej prillit të këtij viti për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.

Sulmuesi 36-vjeçar dëshiron të japë ende kontributin e tij te Manchester United, pas një sezoni të parë tejet të lavdërueshëm, të mbyllur me 28 gola të shënuar në 46 ndeshje.

“Këtu në Manchester i kam fituar tashmë 3 trofe, por nuk shkoi gjithçka siç do të kisha dashur. Objektivi ynë është Premier League”, shpjegon suedezi. “Atë që nisa në sezonin e parë, sigurisht që do të përfundoj në të dytin”.

Ibra e shfaq hapur faktin që nuk kënaqet me “Community Shield”, Kupën e Ligës dhe Europa League, por dëshiron të fitojë edhe kampionatin anglez, për ta shtuar këtë trofe në “palmaresin” e tij personal, që edhe kështu siç është, është shumë i pasur.

“Kur u dëmtova ishte shumë e thjeshtë për mua të thoja se do të rikthehesha, sepse ishte një sfidë”, thotë ai për “Sky Sports”.

“Nuk më kishte ndodhur të dëmtohesha kaq rëndë, e të gjithë u nxituan të thoshin se gjithçka kishte marrë fund për mua, se isha shumë i vjetër për t’u rikthyer të luaj. Por kjo më dha edhe më shumë energji, ishte një sfidë brenda meje, të shihja se çfarë jam në gjendje të bëj e deri ku mund të shkoj me fizikun tim”.

Top Channel