Daja: Prioritet kampionati, titulli i arritshëm

27/10/2017 13:57

Ndërsa e gjithë vëmendja e tifozëve të Skënderbeut, e jo vetëm, është për ndeshjen e 2 nëntorit që do të luhet në Beograd, trajneri Ilir Daja është me këmbë në tokë duke deklaruar se objektivi primar për ta është titulli kampion në Superligë.

“Do hedhim në fushë lojtarët me cilësor, pasi kampionati është objektivi ynë kryesor. Ne bëjmë kampionatin tonë dhe fokusoheni tek ndeshjet tona. Nëse bëjmë këtë që kemi bërë deri tani, do të arrijmë lehtë tek fitorja”, deklaroi Ilir Daja në prag të ndeshjes kundër Luftëtarit të Gjirokastrës.

“Kemi lojtarë me cilësi të mira dhe ritëm dominues dhe ajo qe na mbetet është që këtë performance ta vazhdojmë për të arritur objektivin. Duhet t’u imponohemi kundërshtarëve. Me këto 7 javë të para mendoj se titulli kampion është një objektiv i arritshëm. Besoj me kontigjentin që kam, jemi të motivuar”, ka theksuar më tej trajneri i “ujqërve të dëborës”.

Si gjithnjë Daja tregohet modest, duke mos pranuar krahasime me të trajnerët e tjerë. “Rekordi 7 fitore, nuk jam këtu për të bërë krahasime me koleget e mi”, theksoi ai.

Me këmbë në tokë është edhe mesfushori Sabien Lilaj, i cili ka theksuar se para Beogradit mendon për ndeshjen e radhës.

“Kam dëshirë ende për të fituar. Luftëtari ka treguar që duhet vlerësuar pavarësisht se në këtë moment nuk është në pozicion të favorshëm. Beogradi?! Mendoj per ndeshjen e radhës. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një për të arritur titullin. Ne vitet e fundit kemi qenë gjithmonë më të mirët. Nuk mund ta krahasoj cili është ekipi më i mirë, e rëndësishme është që jemi më të mirët në Shqipëri”, u shpreh Sabien Lilaj.

Top Channel