“Colours of Albania” e fiton një japoneze

27/10/2017 15:26

Alla Simacheva, e lindur ne Tokio, ardhur nga Rusia dhe me një shqipe gati perfekte është fituesja e edicionit të tretë “Colours of Albania”, konkursi fotografik i çelur në fillim të sezonit nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Për mua kjo është shumë e rëndësishme, sepse unë vij nga Rusia, e di historinë e marrëdhënieve tona edhe e di që për momentin lidhja nuk është e dhe aq e fortë sa ç’ka qenë. Jam shumë krenare që nëpërmjet fotografisë që mund të postojme thjesht në rrjete sociale, njerëzit dëshirojnë shumë të vijnë në vendin tonë. Shpresoj që të kemi sa më shumë turistë të apasionuar pas vendit tonë”, thotë Alla Simacheva, fituese e ‘Colours of Albania”.

Kreu i diplomacisë shqiptare tha në mbrëmjen përmbyllëse të këtij konkursi se arkiva e kësaj nisme në vetëm 3 vite ka më shumë se 20 mijë fotografi.

“Interesant është fakti se krahas fotove në vende të njohura si: Thethi, Dhërmiu, Valbona, gjejmë edhe foto nga vende më pak të njohura, por me bukuri po aq mahnitëse si: Vermoshi, Kanionet e Erzenit, Fushat e Mallakastrës, banjat e Bënjës apo Shkopetit”, deklaroi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Unë besoj që do të ketë edhe vazhdim ky konkurs, kjo garë që nuk është vetëm një mundësi për fotografët e rinj për të promovuar talentin e tyre, por është mbi të gjitha një mundësi e mirë për t’ju kujtuar juve e miqve tuaj në botë se sa e bukur është Shqipëria”, thotë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Top Channel