Rekrutët serbë të Rusisë. “Fronti i Kosovës” i dërgon të luftojnë në Ukrainë

26/10/2017 09:55

Duke cituar radion “Europa e lirë”, mediat kosovare raportojnë se gati 300 serbë janë duke luftuar në Donbas kundër forcave ukrainase për llogari të rusëve.

Rrugën e tyre drejt Donjeckut përmes Moskës e financon organizata ruse “Kosovski front” (Fronti i Kosovës). “Kosovski front” është regjistruar si organizatë humanitare në Rusi e vepron në Ballkan, prej nga i dërgon luftëtarët serbë në territorin ukrainas. “Burimet tona në Donbas janë në dijeni të faktit se një grup serbësh kanë shkuar atje përmes organizatës “Fronti i Kosovës”, e cila u paguan fluturimin Beograd-Moskë e pastaj autobusin deri në Rostovi në Don, ku luftëtarët serbë kryejnë trajnimin dhe shkojnë në Donjeck”, thuhet në njoftimin e radio “Europa e lirë” në gjuhën ukrainase.

Analisti Dushan Janjiç u shpreh për gazetën “Blic” se emri i kësaj organizate tregon ndikimin që ka Rusia sidomos tek serbët e Kosovës. Ndërkohë, ish-diplomati Daniel Serwer thotë se është pikërisht Moska ajo që po pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Rusia, sipas tij, është duke e humbur fuqinë rajonale, por po kapet fort tek aleatja e saj e vjetër, Serbia. Rusët i dhanë serbëve avione Mig-e, mbajnë ushtrime të përbashkëta ushtarake dhe kanë ndërtuar bazën logjistike “humanitare” në afërsi të Nishit”, kujton Serwer, i cili pajtohet plotësisht me deklaratën e zëvendësndihmëssekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili e tha hapur se Beogradi nuk mund të ulet në dy karrike, duke ushqyer nga njëra anë marrëdhëniet me Rusinë e duke aspiruar nga ana tjetër anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Top Channel