Reali synon paratë e kinezëve, duke angazhuar “Fenomenin”

26/10/2017 19:22

Tregu kinez dhe ekonomia në rritje e vendit aziatik po synohet gjithmonë e më shumë nga klubet e futbollit dhe Reali i Madridit, me miliona tifozë në mbarë globin, vazhdon me hapa konkretë çdo sezon.

“Galaktikët” angazhuan një legjendë si braziliani Ronaldo, së bashku me drejtorët e klubit, për një shfaqje promocionale në Pekin.

“Real Madrid China Summit” u krijua si markë për të shfrytëzuar kompanitë e fuqishme kineze në sponsorizime disamilionëshe dhe në hapjen e dyqaneve zyrtare të klubit “Los Blancos”.

Pavarësisht rivalitetit të klubeve të tjera, sidomos atyre angleze, drejtori menaxherial Jose Angel Sanchez shfaqi besim se muzeu i trofeve të Realit do të bëjë diferencën me çdo tjetër.

“Nilson Sport Data” raporton se klubi “merengues” kanë 97 milionë tifozë në Kinë, e një pjesë e tyre furnizohen nga zyrat e hapura prej dy vitesh në këtë vend.

Futbolli dhe paratë janë kthyer në një binom të pandashëm në vitet e fundit, e kampionët e botës kërkojnë të shfrytëzojnë pozicionin e udhëheqësit. Në plan është hapja e një parku lojërash me tematikë Realin, një qendër realiteti virtual dhe muze në Kinë.

Top Channel