Këshilli Ekonomik Kombëtar, diskutohet paketa fiskale dhe buxheti

26/10/2017 17:20

Kryeministri Edi Rama deklaron se sipërmarrja është një nga përparësitë e qeverisë në këtë mandat të dytë dhe për këtë ai përmendi krijimin e Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen.

“Me rolin e avokatit të sipërmarrjes brenda qeverisë, për ta çuar shqetësimin e çdo sipërmarrjeje menjëherë në majën më të lartë të piramidës”, deklaroi kreu i Qeverisë.

Në mbledhjen e Këshilit Ekonomik Kombëtar, Rama tha se beson që është krijuar një bazë e re ndërveprimi mes qeverisë dhe sipërmarrjes për të qenë më shumë aktiv.

Këshilli i mblodh për të diskutuar me biznesin paketën fiskale, buxhetin 2018 dhe thjeshtimin e procedurave administrative për sipërmarrjen.

Kryeministri ftoi biznesin që të shfrytëzojë Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes për të shprehur shqetësimet që ka.

Kryeministri tha se reformat e ndërmarra deri më tani kanë mundësuar rritjen ekonomike deri afër 4 përqindëshit, por thotë se duhen më shumë investime të huaja për të patur një rritje më të lartë.

“Na duhen më shumë investime të huaja për të konsoliduar shifrën më të lartë historike që është arritur në drejtim të investimeve të huaja dhe për të krijuar kushtet që disa potenciale të mëdha të vendit, të pashfrytëzuara, siç është turizmi, të mund të vihen në funksion të punësimit dhe mirëqënies së qytetarëve”, u shpreh ai.

Rama vlerësoi uljen e borxhit, ndërkohë që tha se vitin e ardhshëm investimet publike rriten me 42 përqind dhe se buxheti i shtetit do të garantojë mbarëvajtjen e reformave të ndërmarra, përfshirë atë në drejtësi.

Top Channel