Kërcënimi ndaj Messit, ambasadori: Botërori do të jetë i sigurtë

26/10/2017 18:53

Ambasadori i Argjentinës në Rusi, Ricardo Lagorio ka qetësuar dhe garantuar tifozët se Kupa e Botës që do të luhet vitin e ardhshëm në Rusi do të jetë tejet e sigurtë.

Një grup mediatik pro Shtetit Islamik publikoi këtë javë një kërcënim për të sulmuar ngjarjen më madhore sportive në Rusi, në 2018-n, shoqëruar me një poster të yllit të Barcelonës dhe kapitenit të Argjentinës, Lionel Messi, që nxirrte lotë gjaku nga sytë.

“Pamja ishte shumë e rëndë”, tha Lagoria për foton e publikuar. “E para gjë që dua të deklaroj është mbështetja ime për Messin dhe familjen e tij, pasi fotoja ishte e pakëndshme. Ai është i pari dhe i vetmi person i prekur nga ajo foto brutale dhe e dhimbshme”.

“Unë nuk kam asnjë dyshim se qeveria ruse dhe Federata ruse e Futbollit do të garantojnë plotësisht sigurinë e Kupës së Botës, qoftë për tifozët e futbollit, ashtu edhe për turistët e zakonshëm. Do të doja të bëja thirrje për qetësi dhe t’u kërkoja njerëzve që duan të vijnë nga e gjithë bota në Rusi, ta bëjnë këtë pa as më të voglin shqetësim”.

Argjentina fitoi 3-1 ndeshjen vendimtare ndaj Ekuadorit, më herët gjatë këtij muaji, falë një trigolëshi të Lionel Messit, duke siguruar kështu kualifikimin e drejtpërdrejtë për në “Rusi 2018”, së bashku me Brazilin, Kolumbinë dhe Uruguajin.

Por, përpara ngjarjes më madhore sportive të vitit të ardhshëm, Argjentina e drejtuar nga trajneri Jorge Sampaoli do të udhëtojë drejt Moskës për një miqësore me Rusinë, më 11 nëntor, në stadiumin “Luzhniki”, edhe ky pjesë e një prej fotove të fundit që qarkullojnë nëpër mediet propagandistike të Shtetit Islamik.

Top Channel