“VAR” në F1? Brawn kërkon rishikim të penalizimeve

25/10/2017 14:23

Ross Brawn beson se Formula 1 duhet të konsiderojë një sistem të ri të rishikuar për të gjykuar më mirë incidentet kontroverse. Ky reagim vjen pas penalitetit të dhënë Max Verstappenit në fund të Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara, fundjavën që lamë pas në Austin të Teksasit.

Parakalimi në xhiron e fundit i Kimi Raikkonen nga ana e Max Verstappen shkaktoi një debat të gjerë brenda dhe jashtë ambienteve të Formulës 1, pasi piloti i Red Bullit u penalizua për shkak se doli tërësisht nga pista në realizimin e parakalimit, e për pasojë humbi vendin e tij në podium.

E ndërsa nuk pati asnjë dyshim se Verstappen e nxori njëvendëshen e tij me të katërta rrotat jashtë pistës, u vunë në pah disa episode të tjera kur pilotët dolën gjithashtu nga pista, por duke i shpëtuar penalizimit.

Red Bulli dhe Verstappen u irrituan nga vendimi, mbi të gjitha për kohën aq të shpejtë në të cilin u mor ai, pa ofruar aspak mundësinë për të komunikuar fillimisht me pilotët e përfshirë.

Brawn, në postin e drejtorit menaxherial të automobilizmit në F1, mendon se ka ardhur koha për të garantuar në incidente të ngjashme në të ardhmen, se pilotëve të përfshirë do t’iu jepet mundësia të shfaqin pikëpamjet e tyre.

Brawn tha se do të ishte më mirë, nëse skuderitë do të kishin mundësi të flisnin me FIA-n fillimisht.

“Besoj se, me t’u zhdukur kjo mjegullnajë mbi këtë episod, do të ishte gjë e mirë të rishikohen raste të ngjashme me të gjitha palët e përfshira, nga FIA e deri te skuderitë”, tha ai. “Në çdo sport, teknologjia po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, duke iu lejuar arbitrave të marrin vendime sportive më të sakta. Kjo gjë po ndodh edhe në futboll, ku është futur tashmë sistemi VAR, nga Bundesliga në Gjermani, Serie A në Itali dhe të tjera kampionate. Në Formulën 1, ne zotërojmë aktualisht një teknologji videoje të jashtëzakonshme, por mendoj se duhet ta rishikojmë mënyrën e përdorimit të saj, për të mundësuar sa më shumë saktësi dhe vazhdimësi”.

Top Channel