Në një takim me homologun grek, Nikos Kotzias, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ka paralajmëruar Greqinë të mos bëhet strehë e sigurtë e puçistëve turq.

Sipas statistikave që ai ka paraqitur në konferencën e përbashkët, pas përpjekjes së dëshpëruar të grushtit të shtetit në Turqi, 995 shtetas turq kanë kërkuar azil politik në Greqi, për të cilët Cavusoglu kërkon të vlerësohen nëse ndodhen në rrjetin e klerikut Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson si udhëheqës të këtij komploti.

“Ne nuk duam që fqinji ynë Greqia, me të cilin po përmirësojmë lidhjet tona në bazë të besimit, të jetë një strehë e sigurtë për gylenistët. Prandaj, ne besojmë se do t’i vlerësojnë këto aplikime në përpikmëri dhe përputhje me ligjet dhe Kushtetutën greke, e nuk do t’u besojnë këtyre tradhtarëve”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

“Gjyqësori merr vendime për ata që kërkojnë azil në Greqi. Disa janë të kënaqur me këto vendime, disa nuk janë. Unë jam i vetëdijshëm për këtë, por ne duhet ta respektojmë atë”, tha ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Përveç shumë mosmarrëveshjesh që kanë Ankaraja dhe Athina, për sa i përket shelfit kontinental në Egje dhe zonave ekonomike ekskluzive, si dhe çështjes qipriote, marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s u tensionuan majin e kaluar, pasi dy vendime të gjykatave greke kanë bllokuar kërkesat për ekstradime të 8 ushtarakëve turq, të cilët u arratisën me helikopter pas grushtit të shtetit dhe kërkuan azil politik në Greqi.

Megjithëse Ministria e Jashtme greke e vlerësoi me nota pozitive takimin e dy homologëve, e më pas pritjen që i bëri presidenti turk zotit Kotzias, përshtypje negative krijoi mosrespektimi i protokollit për mungesën e flamurit grek në këtë takim, gjatë të cilit, kryediplomati i Greqisë ka ftuar Recep Tayyip Erdogan për një vizitë zyrtare në Athinë.

Top Channel