Kur Allegrin e shkarkonte Spali…për vetëm 1 orë

25/10/2017 10:44

Ajo me siguri mund të jetë një nga ditët më të trishta për Max Allegrin. Bëhet fjalë për 2 nëntorin e vitit 2004. Mbrëmjen e kësaj të mërkure, trajneri i Juventusit do të vihet përballë Spalit, pas rreth 13 vitesh, një skuadër që i rikthen në mendje historinë e së shkuarës.

E me shumë mundësi, sot Allegri do ta presë ekipin e sapongjitur në Serie A me buzëqeshje. Por 13 vite më parë ishte një situatë tejet e vështirë për të. Ndoshta prandaj është bërë një nga trajnerët italianë më fitimtarë, pikërisht sepse ka kaluar momente kaq të vështira.

Por për çfarë bëhet fjalë? Atë 2 nëntor, Allegri “u zgjua” mes makthit në hotelin në Ferrara ku kishte kaluar natën. Një natë më parë ishte mposhtur në shtëpi, 1-3 nga Padova, në një ndeshje që luhej për grupin B të kategorisë së tretë (C1). E ai që e kishte ndëshkuar ishte një bashkëqytetar i tij, Davide Matteini, me një dygolësh.

Allegri kishte shkuar për darkë me bashkëpunëtorin e tij më të besuar, Emilio Doveri, për të diskutuar e kuptuar motivet e asaj humbjeje. Ishte i shqetësuar, por nuk e besonte se drejtuesit e klubit të Spalit do të vinin në diskutim pozicionin e tij. Sigurisht 8 pikë në 9 ndeshje ishin shumë pak, renditja në vendin e 10 po ashtu, por në atë kohë e dinte se skuadra e tij nuk kishte shumë pretendime dhe në fund të fundit nuk është se pretendonte ngjitjen në Serie B.

Pas natës së tmerrshme e pasi kishte ngrënë mëngjesin, ishte drejtuar për nga fusha stërvitore për të drejtuar seancën e skuadrës, pa e ditur se klubi kishte vendosur ta shkarkonte dhe të thërriste Gian Cesare Dischepolin, paraardhësin e tij (tashmë ndihmës të Gigi Di Biagios në Italinë U21).

Njoftimi iu dha pasditen e asaj dite, kur Allegri po rikthehej në Livorno dhe e kishte befasuar. Por më surprizuese ishte një telefonatë e dytë, që i kishte mbërritur një orë më vonë, kur drejtuesit i komunikuan se kishin bërë “prapakthehu” nga vendimi i mëparshëm. Allegri qëndroi si trajner i Spalit edhe në transfertën e radhës ndaj Cittadellës.

Allegri thjesht pati edhe një mundësi të fundit, të cilën nuk e shpërdoroi, duke fituar në transfertë 0-1, gjë që e bëri të mos ndryshonte pankinë deri në fund të sezonit, kur përfundoi vetëm në vendin e 9.

Prej atëherë, tashmë Allegri drejton Juventusin, ekip që e ka marrë nën frerët e tij që prej sezonit 2014-2015.

Top Channel