Interi kryesues, Spalletti: Jam i lumtur; Icardi: S’duhet të rrezikojmë

25/10/2017 10:28

Nata e parë si kryesues i klasifikimit të Serie A dhe Spalletti shfaqet tejet i lumtur pas fitores 3-2 ndaj Sampdorias.

“Çfarë ndiej? Ajo që më emocionon më shumë është sjellja e skuadrës”, tha pas ndeshjes tekniku zikaltër për “Premium Sport”.

“Nuk ekziston një renditje e mirë në klasifikim pa një skuadër të fortë. Mbrëmjen e sotme (dje) skuadra zhvilloi një ndeshje të madhe dhe jam i lumtur, mbi të gjithë për vet lojtarët. Meritojnë të jenë në qendër të vëmendjes, sepse janë profesionistë të vërtetë”, shtoi më tej Spalletti.

Trajneri i Interit nuk është shqetësuar aspak për atë “neglizhencë” të minutave të fundit. “Ka disa kundërshtarë të fortë e të përgatitur, e sigurisht që ndodh edhe që përmes kualiteteve të tyre të na shënojnë edhe gola. Por gjithçka është brenda normales, ne morëm maksimumin”, thotë Luciano Spalletti.

Ndërkohë, Mauro Icardi është shfaqur kritik pas fundit të ndeshjes me Sampdorian. “Jemi në krye, por nuk duhet të rrezikojmë në të tillë mënyrë. Nuk duhet t’u lejojmë kundërshtarëve të rihapin ndeshjen, e cila ishte thuajse e mbyllur pak minuta më herët”, është shprehur “bomberi” i Interit.

Sipas argjentinasit që po kalon një formë të mirë, “ndeshjet duhen menaxhuar më mirë. Ndihemi të fortë sepse i njohim cilësitë që kemi, por rruga është ende e gjatë. Duhet të vazhdojmë të fitojnë, e në fund të shohim se ku do të kemi arritur. Objektivi ynë, gjithsesi mbetet Champions League”.

Top Channel