Betimi i gjykatësve serbë në Kosovë zemëron Beogradin

25/10/2017 11:34

Ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç i ka fshikulluar politikat e qeverisë ndaj Kosovës, me argumentin se i poshtëroi serbët e saj me nxitjen për t’u bërë pjesë e ekzekutivit të Ramush Haradinajt e të betoheshin mbi Kushtetutën e Kosovës.

“Asgjë nuk u fitua nga lëvizjet e bëra”, thotë kreu i Partisë Popullore serbe, që mes ankesave bën si padashur edhe një pohim të fortë, favorizues për Prishtinën. “Serbia dhe Kosova – u shpreh Jeremiç, – do të firmosin në vitin 2018 një marrëveshje mirëkuptimi mbi normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, e paragrafi më me rëndësi aty do të jetë ai që u dikton të dy shteteve të mos bllokojnë anëtarësimin e njëri-tjetrit në organizatat ndërkombëtare”.

Kjo për Jeremiç e çon Kosovën drejtpërdrejt në karrigen e OKB-së. Ish-shefi i diplomacisë serbe shton më tej se, presidentit Aleksandar Vuçiç e kishte hedhur idenë e ndarjes së Kosovës gjatë një takimi miqësor, por këtë e bëri pa asnjë përgatitje serioze, e kjo në bindjen e Jeremiç çimentoi kundërshtimin e palës amerikane ndaj këtij propozimi.

Përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe morën një ditë më parë shtysën e radhës, me dekretimin që presidenti Hashim Thaçi i bëri emërimit të 40 gjykatësve dhe 13 prokurorëve të rinj, të cilët do të punojnë në institucionet e drejtësisë në Veriun e banuar me shumicë serbe.

Të gjithë ata morën pjesë në ceremoninë e betimit para kreut të shtetit, duke përmbushur kështu marrëveshjen për drejtësinë në Veriun e Kosovës, e cila ishte arritur më 10 shkurt të vitit 2015 dhe parashihte shuarjen e gjykatave dhe prokurorive të kontrolluara nga Beogradi, si dhe integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin kosovar të drejtësisë.

Top Channel