Gjatë paradës ushtarake të organizuar në përvjetorin e çlirimit të Beogradit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç përsëriti me krenari se vendi i tij synon anëtarësimin në BE duke ruajtur njëkohësisht relata të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Por ndërsa blloku tregohet i rezervuar në komente, njeriu që ndërmjetësoi me sukses krizën pas-zgjedhore në Maqedoni, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, u shfaq mjaft i drejtpërdrejtë gjatë fjalës së tij në një forum ekonomie në Serbi kur tha se vendet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian duhet ta dëshmojnë qartazi një gjë të tillë.

“Nuk mund të qëndroni ulur në dy karrige, sidomos nëse ato janë larg njëra-tjetrës”, citohet të ketë deklaruar zyrtari i lartë amerikan duke theksuar edhe një herë kjo nuk është normë në bashkësinë ndërkombëtare.

“Synimi i Shteteve të Bashkuara”, tha Yee i cituar nga VOA, “është që Serbia të jetë e përparuar, e qëndrueshme, e sigurt dhe e integruar ne Bashkimin Europian, prandaj ajo duhet të punojë me nismat që e afrojnë me BE-në. U propozoj partnereve tanë në Serbi që të pyesin Rusinë se çfarë bën ajo që ta ndihmojë në rrugën drejt bllokut evropian”

“Nuk besoj se dhënia e imunitetit diplomatik për personelin e qendrës (humanitare ruse) do të ndihmonte Serbinë që të përmbushë synimin e saj për anëtarësim”, shtoi diplomati i larte amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore. Disa grupe perëndimore dhe analiste ushtarake e shohin si një baze ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur me qëllimin të mbikëqyrë interesat amerikane në Ballkan.

Qendra ruse, e hapur fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtarë në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë. Moska kërkon që personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, por mohon çfarëdolloj veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave.

Top Channel