Rruga e Arbrit, pritet shpallja e fituesit

24/10/2017 15:20

Kompania “Gjoka Konstruksion” është fituesja e koncesionit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Burime të sigurta pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar bëjnë me dije se oferta e paraqitur nga kjo kompani është pranuar dhe pritet shumë shpejt do të bëhet shpallja.

Vlera e projektit është llogaritur 33.6 miliardë lekë, ose afro 254 milionë euro. Kompania do ta ndërtojë rrugën me fondet e saj dhe paralelisht do të ketë detyrimin për ta mirëmbajtur atë derisa qeveria të shlyejë koston.

Koncesioni ishte kërkuar në pranverën e këtij viti nga kompania “Gjoka Konstruksion”, ndërkohë që tenderi është zhvilluar në fillim të tetorit.

Rruga e Arbrit ka një gjatësi prej 73.5 kilometër. Nga këto 20.1 kilometër janë ndërtuar me paratë e buxhetit, ndërkohë që 15 kilometra të tjerë janë ndërtuar pjesërisht.

Volumi më i madh i punimeve ngelet i papërfunduar. Ndërtimi i këtij aksi bëhet sipas skemës 1 miliard euro, ku kompanitë do të investojnë vetë në vepra publike dhe do të paguhen nga buxheti i shtetit me këste.

Top Channel