Rregulla e Ekuilibrit. Romani i shkrimtarit italian që rrëfen korrupsionin

24/10/2017 09:37

“Rregulla e Ekuilibrit”, romani i shkrimtarit italian Gianrico Carofiglio, vjen i përkthyer në shqip. Libri, i bazuar në eksperiencën e autorit si ish-prokuror dhe më pas anëtar i komisionit parlamentar të Antimafias, tregon korrupsionin në sistemin e drejtësisë.

I ftuar në studion e “Wake Up”, Carofiglio është shprehur se në këtë roman është përpjekur të tregojë psikologjinë e personave të korruptuar, të cilët, siç thotë ai, nuk kanë probleme me ndërgjegjen.

Carofiglio, mirëseerdhët. Nuk ishte larg, nga Bari në Tiranë

Gianrico Carofiglio: Jam i kënaqur që jam këtu sepse e kemi patur këtë ndjesinë t’i shohim shqiptarët si kushërinj. Kishte vite që i thosha vetes, për ç’arsye nuk më përkthejnë në shqip dhe tani i sistemova gjërat.

Jeni më shumë Gian, apo Rico?

Gianrico Carofiglio: Kjo është një pyetje shumë e vështirë për mua, por është e vërtetë që ka shumë Gianrico.

Besoj se shqiptarët i keni hasur gjatë punës tuaj, mund të na thoni diçka?

Gianrico Carofiglio: Kur isha prokuror u mora edhe me çështje kriminale që përfshinin grupe shqiptare, por në asnjë prej romaneve të mia nuk kam futur elementë shqiptarë. Por në librin e ardhshëm po mendoj të fus personazhe të tilla.

Kur lexon përshkrimin e librit zbulon se ka pak pjesë nga “Squadra Antimafia”, pak nga ngjarje personale të jetuara nga ju, pra duket sikur ka gjithçka të përfshirë

Gianrico Carofiglio: Kur shkruaj thriller ligjorë përpiqem të përqendrohem tek psikologjia e personazheve. Protagonisti i këtij romani, avokati Guido Guerreri përballet me një histori të korrupsionit gjyqësor. Një gjyqtar që akuzohet për korrupsion dhe avokati që ka integritet shumë të fortë shqyrton nëse duhet ta mbrojë.

Sa i takon korrupsionit në gjyqësor, çfarë pike bashkon Shqipërinë me Italinë?

Gianrico Carofiglio: Ajo që synoj kur shkruaj një roman është të tregoj personazhe tërheqëse. Dua të shkruaj libra ku lexuesi të apasionohet, të shkojë deri në fund. Kjo është një histori korrupsioni.

Në sa gjuhë është publikuar libri deri tani?

Gianrico Carofiglio: Në 29 gjuhë. Ka disa që janë shumë të çuditshme. Për shembull është përkthyer në gjuhën vietnameze dhe në një gjuhë të Afrikës Veriore.

Pse në këtë moment ky libër? Përkon me gjithë këtë situatën e drejtësisë, plus politikën brenda… Çfarë mund të kuptojë ai që e lexon?

Gianrico Carofiglio: Mendoj se mund të kuptojë diçka të rëndësishme, se cila është psikologjia e sëmurë e një gjyqtari të korruptuar. Ata janë njerëz që nuk e pranojnë se po bëjnë diçka të keqe me veten, por janë të prirur të gjejnë justifikime.

Kjo bazohet tek eksperienca juaj, ndaj besoj se nuk është gjithçka një fiction. Apo keni luajtur me ekuilibrin?

Gianrico Carofiglio: Kam luajtur me ekuilibrin, ka pjesë reale të hetimeve, korrupsionit, por më pas i kam marrë të tëra dhe i kam mbledhur në një fiction.

Mund të na thoni si korruptohet një gjykatës?

Gianrico Carofiglio: Në libër shpjegohet. Mua nuk më ka korruptuar askush, por kanë tentuar. Nuk është se dikush nga njëra ditë në tjetrën bëhet i korruptuar, është një cikël i ngadaltë. Një ditë i bën një nder të vogël dikujt që nuk duhet ta bëje, një ditë tjetër një nder pak më të madh dhe pastaj një ditë tjetër të jep dikush 100 mijë euro. Dhe këta njerëz mendojnë se nuk po bëjnë asgjë të keqe. Nuk është se sot je një burrë i mirë dhe nesër bëhesh i korruptuar.

Mund të behen shokë i korruptuari dhe korruptuesi?

Gianrico Carofiglio: Nuk është e thënë. Në rastet e korrupsionit gjyqësor, kur përfshihen gjyqtarë dhe avokatë, zakonisht janë shokë të vjetër, të universitetit dhe shkëmbejnë favore.

Çfarë prisni nga vizita në Shqipëri?

Gianrico Carofiglio: Isha shumë kurioz sepse ka pasur një ekzistencë ndryshe nga e jona, është formuar në një mënyrë ndryshe nga ne. Kemi patur emigracionin e viteve ’90 dhe jam kurioz të shoh ndryshimin që po ndodh. Dje hëngra në një restorant tipik shqiptar, hëngra japrak, speca të mbushur me gjizë, mëlçi, mish qingji, shumë gjëra.

Top Channel