Nga Juve te Man. Utd., asnjë parregullsi për Pogba

24/10/2017 21:16

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli u ka dhënë një lajm të mirë aksionerëve të klubit. “Jemi tërësisht pa faj” nga FIFA, në lidhje me ndonjë praktikë të gabuar të ndjekur në transferimin e ish-yllit francez të bardhezinjve, Paul Pogba, i cili aktivizohet tashmë me Manchester United.

“Djajtë e kuq” ishin shfajësuar gjatë verës nga çdo shkelje e mundshme mbi transferimin e Pogbasë në “Old Trafford”, por FIFA konfirmoi në atë kohë se ishte ende duke e hetuar rolin e klubit bardhezi në transferimin prej 89.3 milionë paund të verës së vitit 2016.

Agjenti i Pogbasë, Mino Raiola u raportua të kishte fituar mbi 41 milionë paund nga marrëveshja rekord e asaj kohe, duke shtyrë FIFA-n të niste hetimet mbi transferimin. Agnelli tha këtë të martë, gjatë një mbledhjeje të aksionerëve se, asnjë veprim ndëshkues nuk do të merret kundër “Zonjës së vjetër”.

“Hetimi i FIFA-s për transferimin e Pogbasë është përfunduar, pa implikuar Juventusin në ndonjë parregullsi. Ndaj jemi tërësisht në rregull”, thuhet edhe në mediet italiane, si “Mediaset”, që ka pasqyruar lajmin.

Top Channel